Kosovë, aktivitet në përkujtim të lojërave tradicionale

18/04/2016 00:00

Lojërat tradicionale, të cilat në epokën dixhitale duket se kanë mbetur vetëm në kujtesën e të moshuarve, janë rikthyer të hënën përmes një aktiviteti në Prishtinë, për nder të ditës ndërkombëtare të monumenteve dhe lokaliteteve.

“Lojërat e gjyshërve tanë”, organizuar nga Muzeu i Kosovës, ka mbledhur gjyshër të shumtë, të cilët bashkë me nipërit e mbesat e tyre zhvilluan disa nga lojërat më të njohura popullore, si ajo me litar apo me guralecë.

“Lojërat që po zhvillohen sot janë lojëra me litar. Mund të ecim pak më tej dhe të shohim lojën gura-peshk, ku një gur është vendosur në një rrasë dhe me gurin tjetër, nga një largësi 5 hapa është dashur të rrëzohet guri. Gjithashtu kemi fëmijë, të cilët janë duke luajtur Cic-Mic me fasule dhe misër, një lojë e vjetër”, tha Alisa Gojani, koordinatore e aktivitetit nga Muzeu i Kosovës.

Gjyshërit që sollën nipërit dhe mbesat e tyre e vlerësuan si të qëlluar këtë aktivitet, pasi sipas tyre, lojërat elektronike janë shumë të dëmshme për fëmijët, ndërsa kujtonin me nostalgji fëmijërinë e tyre.

“Sigurisht, ka mbi 50 vite që nuk kam luajtur. Është një përjetim, një ringjallje e atyre momenteve. Po, i kujtoj shokët e fëmijët, me të cilët bënim këto lloj garash”, tha Naim Hoxha, një i moshuar pjesëmarrës në aktivitet.

“Edhe mua më duket shumë interesant ky aktivitet i sotmi. Ndoshta edhe më interesant është se mua më duket sikur i di lojërat, më shumë sesa mbesës. Më duket se, prej kur kam qenë fëmijë nuk i kam parë”, tha Ramadan Babatinca, një tjetër i moshuar pjesëmarrës në aktivitet.

Pjesëmarrja e të moshuarve në zhvillimin e këtyre lojërave, sipas organizatorëve është me rëndësi të madhe, pasi ata vijnë nga treva të ndryshme dhe japin edhe variante të tjera të lojërave tradicionale.

Top Channel