Dëmtimi i Marchisios shqetëson Italinë

18/04/2016 12:35

Claudio Marchisio do t’i mungojë Italisë në Evropianin e Francës. Mesfushori italian pësoi një dëmtim në gjurin e majtë dhe në ditët e ardhshme do t’i nënshtrohet një operacioni, që do të thotë se qëndrimi jashtë fushës se lojës do të jetë për një kohë të gjatë.

Situata e Marchisios e shqetëson jo pak trajnerin e të “Kaltërve”, Antonio Conte, të cilit do t’i duhet të bëjë llogaritë edhe me problemet e Marco Verratit.

Duke parë këtë situatë, teknikut italian i duhet të gjejë alternativat për të zëvendësuar Marchision. Në pamundësi të rikthimit të Andrea Pirlos, i cili preferoi kampionatin amerikan të futbollit, rishfaqet emri i Daniele De Rossit, pavarësisht paraqitjeve zhgënjyese të tij në vitet e fundit.
 
Por, për Conten ekzistojnë edhe alternativa të tjera: Jorginho nga Napoli apo edhe Marco Parolo nga Lazio. Por Conte ka parasysh edhe Tiago Motën e Ricardo Montolivon, edhe pse këta dy të fundit nuk simpatizohen nga pjesa më e madhe e tifozëve.

Në fund të muajit maj Conte pritet të bëjë publike listën e të përzgjedhurve të tij për në “Euro 2016”, zgjedhje për të cilat do t’i duhet të mendojë shumë.

Top Channel