MotoGP, Lorenzo pranë kalimit te Ducati

18/04/2016 12:10

Jorge Lorenzo do të jetë pjesë e Ducatit në Botërorin e ardhshëm të MotoGP. Kjo është ajo që publikohet te e përditshmja La Gazzetta Dello Sport, sipas së cilës piloti spanjoll, kontrata e të cilit me Jamahën skadon në fund të këtij viti, do të firmosë me skuadrën italiane për 2 vjet, me një pagë prej 25 milionë eurosh në sezon.

Objektivi i Ducatit është i qartë, të fitojë titullin botëror në MotoGP, që i mungon që nga viti 2007, kur e fitoi me Casey Stoner. Jorge Lorenzo, i cili me Jamahën ka fituar 3 tituj botërorë e 41 gara që nga vitit 2008, konsiderohet personi i duhur për të arritur këtë objektiv.
 
Ndërkohë, edhe për vetë Lorenzon kalimi te Ducati është një sfidë e madhe, me spanjollin që do të kërkojë të bëjë atë që nuk arriti dot rivali i tij Valentino Rossi: të fitojë qoftë edhe një garë me këtë motor.

Ardhja e Lorenzos te Ducati do të sjellë edhe lëvizje të tjera në MotoGP. Kështu, te Ducati, Doviziosos e Iannones do t’u duhet të luftojnë me njëri-tjetrin për të ruajtur vendin e tyre në skuadër, ndërkohë që te Jamaha po mendohet për gjetjen e zëvendësuesit të Lorenzos dhe piloti që po kërkohet me këmbëngulje është spanjolli Maverik Vinjales nga Suzuki.

Top Channel