Barcelona ndëshkohet edhe në La Liga, Valencia fiton në “Camp Nou”

17/04/2016 22:20

Pas eliminimit nga Championsi, Barcelonës po i “rrëshqet nga duart” edhe kampionati. Katalanasit u mundën në një ndeshje dramatike nga Valencia 1-2 në “Camp Nou”.

Rakitic shënoi autogol në minutën e 26 të pjesës së parë, ndërsa në minutën e 45, Santi Mina i dha avantazhin e dyfishtë miqve.

Në pjesën e dytë, Barcelona u hodh e tëra në sulm. Messi ngushtoi diferencën në minutën e 63, duke shënuar golin e 500 në karrierën e tij. Katalanasit krijuan raste të panumërta në portën e Valencias, por gabuan shumë, ndërsa në disa të tjerë ishte portieri i Valencias që i ndali.

Pas kësaj humbje, Barcelona vazhdon të mbajë vendin e parë, por tashmë me pikë të barabarta me Atleticon, që fitoi 3-0 më herët të dielën ndaj Granadas. Vetëm një pikë më pas, në vendin e tretë, ndodhet Reali i Madridit.

Tashmë edhe La Liga rihapet plotësisht. Nga një ekip që prententonte sërish tripletë, Barcelona rrezikon të dalë pa trofe, megjithëse ndodhet edhe në finale të Kupës së Mbretit.

Top Channel