Pas 50 vitesh në arenë, mjeshtri i cirkut, Pavli Sallata po konkretizon punën e tij nëpërmjet shfaqjes “Mjeshtri i Talenteve”.

Misioni i tij është që cirku të vazhdojë. Dijet e tij po i kalojnë një gjenerate të re. Këtë të diel, spektatorët janë të të gjitha moshave, sepse edhe vetë cirku është art i tillë.

“Mendova që me këtë repertor që është ende në qarkullim për vlerat që ka, të bëjmë një spektakël. Mjeshtrat ekzistojnë dhe pa ta nuk mund të bësh asnjë punë. Këta janë personat që përgatisin këto talente që premtojnë arritje”, shprehet Pavli Sallata, mjeshtër i cirkut.

Pavli e ndien nevojën e rinovimit në cirk. Talentet nuk kanë munguar, por sa i përket mundësisë për përgatitje më të mirë, kjo duhet përmirësuar.

“Trupa duhet të rinovohet me elementë të rinj. Një grup duhet të shkojë jashtë shtetit, që cirku të ketë vazhdimësi”, thotë Pavli Sallata.

“Jam afruar në cirk që në moshën 8 vjeçare dhe pas dy viteve fillova me profesor Pavlin, ku edhe u profilizova”, shprehet Sabina Troshku, akrobate.

Premiera e kësaj pranvere synon të nxisë sa më shumë spektatorë të shikojnë shfaqen. Ndërsa për mjeshtrin pasioni udhëheq përtej viteve.

Top Channel