Studimi: Martesa ju bën mirë të gjithëve

17/04/2016 00:00

Disa thonë se martesa është një dënim, por duket se shkenca nuk është aspak dakord. Studimet e fundit tregojnë se, në fakt, martesa dhe marrëdhëniet afatgjata i bëjnë mirë shëndetit fizik, atij mendor dhe financiar.

Duket e çuditshme, por shkencëtarët e kanë lidhur martesën me një rrezik të ulët të prekjes nga sëmundje të ndryshme si kanceri, diabeti apo problemet kardiovaskulare, veçanërisht te burrat. George Ploubidis, lexues i statistikave për shëndetin e popullsisë nga “University College” i Londrës thotë se, njerëzit e martuar janë të prirur për të konsumuar më pak duhan, alkool e për të ngrënë më shëndetshëm.

Të qenët në një martesë të lumtur mund të rrisë gjithashtu mundësitë për një jetë më të gjatë. Kur studiuesit kombinuan rezultatet e një sërë kërkimeve zbuluan se, burrat e gratë e martuar kishin 10 deri 15 për qind më pak mundësi për të vdekur në mënyrë të parakohshme.

Thonë se dashuria nuk ka çmim, por në fakt njerëzit me një lidhje të gjatë bashkëshortore kanë një pasuri dyfish më të lartë sesa ata që s’janë martuar kurrë, siç sugjeron një studim i Universitetit të Ohios. Përfitimet shëndetësore të marrëdhënieve afatgjata duket se shtrihen edhe te shëndeti mendor.

Mes të martuarve raportohen më pak raste depresioni dhe ata janë gjithashtu më pak të prirur për të abuzuar me drogën e alkoolin. Edhe fraza “Jetuan gjithmonë të lumtur pas martesës” nuk është tërësisht utopike.

Studiuesit sugjerojnë idenë se, personat e martuar janë më të lumtur. Një studim që analizoi 24 çifte gjermane përgjatë 15 viteve zbuloi se, martesa u kishte dhënë atyre një hov lumturie edhe pse ai ishte afatshkurtër, pasi me kalimin e kohës nivelet e lumturisë u rikthyen në gjendjen paramartesore.

Shkencëtarët rrëzojnë edhe bindjen e përhapur gjerësisht se, beqarët bëjnë më shumë seks. Një studim që merr në konsideratë sjelljet seksuale pretendon se, të martuarit bëjnë seks më shpesh sesa beqarët, edhe pse është e vërtetë se frekuenca e raporteve seksuale reduktohet me kalimin e viteve.

Pra çiftet janë më të lumtura, më të pasura, jetojnë më gjatë dhe kanë një jetë seksuale më të kënaqshme. Por beqarët, të paktën mund t’i gëzohen faktit se janë më pak të prirur për të shtuar peshë sesa të martuarit. Ky fenomen është më i theksuar te burrat.

Top Channel