Përmes një fushate të titulluar “Të rinj dinamikë, por pa mundësi”, organizata humanitare katolike “Renovabis” po përpiqet të tërheqë vëmendjen te mungesa e perspektivës për rininë në Europën Lindore e Juglindore.

Ipeshkvi françeskan nga Sarajeva, Pero Sudar skicoi një pamje të zymtë shoqërore të shumicës së vendeve të rajonit, thonë mediet gjermane. Në hapjen e aksionit të “Renovabis”, me rastin e festës fetare të Rrëshajës së Madhe në Ipeshkvinë e Speyerit, Sudar përmendi shembuj konkretë nga vendi i tij.

Mungesa e perspektivës ka një efekt kaq të fortë zhgënjyes e rëndues te të rinjtë në Bosnje-Hercegovinë, saqë 70% e tyre duan të largohen nga vendi. Shifra të tilla janë bërë të njohura nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Për shkak të papunësisë së lartë, shumë të rinj nga Juglindja e Europës nuk shohin ndonjë perspektivë në vendin e tyre. Papunësia mes të rinjve në Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë, kap shifrat e 45-60%. Varfëria, mungesa e stabilitetit politik, korrupsioni dhe nepotizmi përmenden si shkaqe të tjera për pesimizmin e kudogjendur.

Duke analizuar situatën në tërësinë e saj, ipeshkvi theksoi faktin që të rinjtë në Juglindje të Europës e kanë humbur në masë të madhe besimin tek institucionet demokratike, e mbase edhe te demokracia vet.

Top Channel