Bayern Munich mposht Schalke, +10 ndaj Dortmund

16/04/2016 00:00

Bayern Munchen nuk e ndalon marshin drejt titullit kampion në Gjermani. Skuadra e Pep Guardiolas mposhti 3-0 Schalken, duke regjistruar suksesin e pestë radhazi. Lewandowski zhbllokoi sfidën në minutën e ‘54, pas asistit të Vidal.

Sulmuesi polak dyfishoi në të ‘65, duke mbyllur virtualisht sfidën. Pas Lewandowskit ishte radha e Vidal të ndëshkonte “blutë mbretërorë” në të ‘73. Me këtë sukses, bavarezët e rrisin në 10 pikë diferencën nga Dortmundi i vendit të dytë, që do të luajë me Hamburgun.

Ndërkohë, Bayer Leverkusen fitoi 3-0 përballë Eintracht Frankfurt dhe duke përfituar nga disfata e Hertha Berlin me Hoffenheimin u ngjit në vendin e tretë në renditjen e Bundesligës, që vlen kualifikimin direkt në Champions.

Kampl zhbllokoi shifrat për vendasit në minutën e ‘70. Kaq mjaftoi që rezistenca e ekipit nga Frankfurti të thyhej, me “aspirinat” që dyfishuan vetëm 6 minuta më pas me Brandt. Në fundin e kohës së regullt ishte Bellarabi që realizoi edhe golin e tretë, duke i dhënë Leverkusen një sukses tejet i rëndësishëm, kur kanë mbetur vetëm 4 javë nga fundi i kampionatit gjerman.

Werder Bremen hodhi një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës, pas fitores 3-2 përballë Wolfsburgut. Pizarro kaloi vendasit në avantazh në të ‘32, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Ëerderit me 102 gola. Pavarësisht barazimit të shpejt të ujqërve me Guilavogui-n, ekipi nga Bremeni shënoi edhe dy herë në pjesën e dytë.

Bartels në të ‘64 i dha sërish avantazhin vendasve, ndërsa Yatabare hipotekoi suksesin 7 minuta përpara fundit të kohës së rregullt. Vetëm për statistikë rrjeta e Dost për Wolfsburg-un, që pësoi humbjen e tretë në pesë ndeshjet e fundit të Bundesligës.

Top Channel