Përmbysjet e mëdha në futboll

15/04/2016 19:40

Liverpuli e bëri sërish të paimagjinueshmen e futbollit modern një realitet të prekshëm. Sfida spektakolare 4-3 ndaj Borusias së Dortmundit shkroi një faqe të re epike në historinë e sportit më popullor në planet, por fatkeqësisht për tifozët e Milanit përmbysja më e çmendur është dhe do të mbetet një tjetër, ndoshta për dekada.

Luhet finalja e Champions League në vitin 2005, një histori e shkruar me gërma të mëdha për kuqezinjtë, por vetëm për 45 minutat e para. Superioriteti gati i sikletshëm me golin e Maldinit dhe dopietën e Krespos vendosi diktatin e italianëve, por shumë shpejt do të niste Ferri për Milanin në stadiumin e Stambollit. Stiven Xherrard, mesfushori çek Smicer dhe më pas Ksabi Alonso zhvlerësuan gjithçka kishin bërë italianët në vetëm 7 minuta, duke barazuar 3-3.

Më pas, në goditjet e penalltive Serzhinjo, Pirlo dhe Shevçenko gabuan duke i dhënë kupën “Reds”-ave.

Por kupa me veshë të mëdhenj nuk ofron vetëm këtë përmbysje historike. Emrat e  e Tedi Sheringam dhe Ole Gunar Solskjaer ende janë si fantazma në ëndrrat e shumë tifozëve të Bajernit të Mynihut. Kjo për shkak të finales së vitit 1999, kur gjermanët kishin vendosur duart te trofeu deri në minutën e 91. Goli i Mario Basler i dha avantazhin formacionit të Hitzfeld, por pikërisht kur nuk pritej, “Red Devils” bënë përmbysjen epike me dy gola në më pak se dy minuta.

Në fillim një prekje e padukshme e Sheringamit që befasoi Kahnin dhe më pas devijimi i norvegjezit Solskjaer firmosën apoteozën e Sir Aleks Fergusonit, në triumfin e parë të tij në Champions.

Përmbysje emocionuese ka rezervuar edhe kampioanti italian, me një përballje mes Interit dhe Sampdorias. Edhe pse larg elitës europiane të futbollit dhe pa trofe në lojë, zikaltrit i dhanë jetë një sfide në kufijtë e të paimagjinueshmes. Toneto dhe Kutuzov i dhanë avantazhin dorianëve, ndërsa Martins, Vieri dhe Rekoba firmosën fitoren, një ndeshje që tifozët e Interit e kujtojnë ende me nostalgji.

Top Channel