E. League, përmbysje historike e Liverpool ndaj Dortmundit

14/04/2016 00:00

Liverpool ka bërë një tjetër mrekulli, këtë herë ndaj Dortmundit në Europa League, duke arritur të përmbysë disavantazhin nga 1-3 në 4-3 në “Anfield” dhe u kualifikua për në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.

Një ndeshje e çmendur, me gola dhe ritëm të jashtëzakonshëm. Dortmund shënoi dy herë brenda 9 minutavë të para. Fillimisht ishte Mikhitaryan e më pas Aubameyang, e çuan ndeshjen në 0-2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. 45 minutat e dyta ishin të jashtëzakonshme në “Anfield”, ku u shënuan edhe 5 gola të tjerë.

Origi shkurtoi diferencën me të filluar pjesa e dytë. Por, gjermanët shënuan edhe golin e tretë më pas me Reus në minutën e 57. Megjithatë, Liverpool nuk dorëzohet kurrë. Coutinho e çon rezultatin në 2-3 në minutën e 66, ndërsa Sakho në të 78-ën barazon shifrat.

Me barazimin 3-3 ishte Dortmundi që kualifikohej, por vendasit u treguan të jashtëzakonshëm dhe Lovren përmbysi gjithçka në minutën e parë të shtesës. Një përmbysje e ngjashme me finalen e Stambollit në Champions League, ku “The Reds” përmbysën disavantazhin 0-3 të Milanit duke u shpallur kampion në atë vit.

Tashmë, ekipi i drejtuar nga Kloop siguron një biletë për gjysmëfinalet. Tre gjysmëfinalistet e tjera janë Shakhtar, Villarreal dhe Sevilla. Ukrainasit shkatërruan 4-0 Bragan, spanjollët mposhtën në transfertë 2-4 Spartën e Pragës, ndërsa Sevilla u kualifikua falë fitores me 11-metërsha ndaj Bilbaos.

Top Channel