17 vite më pas do të rikujtohet eksodi masiv i kosovarëve drejt Shqipërisë

14/04/2016 00:00

Në përvjetorin e 17 të eksodit masiv të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë do të organizohet kalimi simbolik i kufirit, për të rikujtuar përvojën e dhimbshme të dhjetëra mijërave njërëzve, që u dëbuan me forcë nga regjimi i Milosheviçit.

Kjo nismë e Bashkisë së Kukësit për të kaluar në këmbë kufirin, si 16 prillin e vitit 1999, është përqafuar nga rrjeti i qendrave rinore të Kosovës.

“Do të bëhet një marshim në këmbë në kufirin Kosovë-Shqipëri, në pikën e Morinës, ku përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, bashkë me Ambasadën e Shqipërisë dhe qytetarët e tjerë nga Kosova do të kalojnë kufirin dhe matanë do të priten në mënyrë ceremoniale nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani”, tha Krenare Gashi, rrjeti i qendrave rinore të Kosovës.

Të mbështetur nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, bashkorganizatorë të këtij aktiviteti janë edhe shumica e komunave të Kosovës, si Prishtina, Mitrovica, Suhareka, Rahoveci, Gjakova, Lipjani e të tjera.

“Do të bëhet organizimi i autobusëve, teksa njerëzit nga secila komunë do të kenë mundësi që të marrin pjesë në aktivitet, në mënyrë që shënimi i kësaj dite të jetë sa më madhështor dhe sa më gjithëpërfshirës”, tha më tej Krenare Gashi.

Më 16 prill 1999 u shënua dhe fluksi më i madh i dëbimeve masive të shqiptarëve të Kosovës, si pasojë e fushatës hakmarrëse të Milosheviçit pas bombardimeve të NATO-s, dhe përpjekjeve të tij për ta spastruar etnikisht Kosovën.

Top Channel