Ishte kuzhinier, por karriera e tij mori fund…

14/04/2016 00:00

Ai ishte një kuzhinier i njohur, kishte hapur një restorant të quajtur “Yeahya Flavour of Asia” në Swindon të Britanisë së Madhe, por një ndodhi e çuditshme duket se i ka dhënë fund karrierës së tij.

Ai doli përpara një gjykate, konkretisht në “Swindon Magistrates Court”, trupës gjykuese të së cilës iu bë e ditur, kuzhinieri kishte përgatitur vaktin e ngrënies pasi kishte larë të pasmet me duar dhe ujë në tualet, në vend që të përdorte letrat e tualetit, kjo vetëm “për shkaqe kulturore”. Këtë gjë e kishin pikasur inspektorë të shëndetësisë, të cilët vizituan restorantin në maj të vitit të kaluar.

Gjatë vizitës së tyre, zyrtarët nga këshilli i Swindonit kishin dyshuar mbi një shishe plastike qumështi të boshatisur, e cila ishte jashtëzakonisht e ndotur dhe e mbuluar me gjurmë gishtërinjsh në ngjyrë kafe.

Mahbub Chowdhury dyshohej se kishte mbushur shishen me ujë nga rubineti i kuzhinës, e më pas e kishte përdorur atë për të larë të pasmet pasi i ishte dashur të shkonte në tualet për nevoja personale. Ai u tha inspektorëve se nuk mund t’i përdorte letrat e tualetit “për shkaqe kulturore”, ndërsa ata dolën në konkluzionin se gjurmët kafe në shishe ishin mbetje jashtëqitjeje.

Kuzhinieri Chowdhury, i cili tashmë ndoshta është e tepërt ta quash të tillë, pasi nuk punon më për restorantin në fjalë, këmbënguli më pas se nuk e kishte marrë kurrë mbrapsht shishen nga tualeti, dhe se ajo që kishin gjetur inspektorët ishte përdorur për të përzierë kimikate të ndryshme për pastrim.

Gjykatës iu bë e ditur nga inspektorët se ai kishte shkelur rregullat e higjienës në punë, përfshi këtu punimin në kushte të ndyra, si dhe nuk kishte larë duart përpara se të merrej me përgatitjen e karkalecave të detit dhe perimeve.

Të hënën, 46-vjeçari pranoi fajësinë dhe u ngarkua me 10 akuza për shkelje të rregullave të ushqimit dhe higjienës, ndaj dhe ish-kuzhinieri u gjobit me 5.000 paund. Por ndaj tij është dorëzuar një kërkesë për dënim, ndërkohë që vendimi pritet të jepet në një datë të arshme nga gjykata e Swindonit.

FOTO GALERI
1/1
Nine Elms Pub, ndërtesa ku ndodhej restoranti

Top Channel