De Biasi tek Italia? Ja qëndrimi zyrtar i FSHF-së

14/04/2016 00:00

Kur duhen edhe dy muaj nga starti i një turneu të rëndësishëm si Europiani 2016, e ardhmja e trajnerit të kombëtares shqiptare është gjithmonë e më shumë në diskutim në pankinën kuqezi.

Gianni de Biasi është mes kandidatëve për të pasuar Conten që do të largohet nga stoli i Italisë këtë verë, dhe mes emrave të shumtë kandidatura e italo-shqiptarit po fiton kuota nga dita në ditë.
 
Në mesin e një amullie të krijuar nga mediat e Apenineve për negociata jo zyrtare mes FIGC dhe De Biasit, FSHF ka dalë në skenë për të sqaruar pozicionin e saj përmes presidentit Armand Duka.

“Të gjithë ne, të vlerësojmë maksimalisht dhe të japim më të mirën tonë për Europianin “Francë 2016”. E rëndësishme është ta kalojmë atë, me sa më shumë sukses. Pas përfundimit të tij, jemi të hapur për diskutuar për gjithçka. Trajnerit De Biasi, ja kam deklaruar që në ditën e parë të nënshkrimit të kontratës qëndrimin tim. Ne nuk i prishim askujt karrierën e tij personale. Përkundrazi, jemi të lumtur në rast se ja rregullojmë atë gjithkujt që punon me ne dhe kontribuon për rritjen cilësore të futbollit shqiptar. Do ta quaja vetëvrasje, që në këtë prag të Europiani dhe në kulmin e fushatës tonë përgatitore për këtë ngjarje të madhe, të merremi me diskutime dhe polemika pa vlerë”, deklaroi Duka.

E përkthyer në fjalë të tjera, qeveria e futbollit shqiptar nuk do të pengojë De Biasin nëse Italia do ta zgjedhë për të drejtuar kombëtaren e “të kaltërve” pas korrikut.

Gianni de Biasi paguhet rreth 290 mijë euro në vit nga FSHF, ndërsa trajneri aktual i Italisë, Antonio Conte që do të kalojë te Chelsea pas 2 muajsh, i kushton 5 milionë euro Federatës së “të kaltërve”.

Top Channel