Kosovë, tryezë diskutimesh për riaplikimin në UNESCO

14/04/2016 00:00

Përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe diplomatë të akredituar në Prishtinë, kanë diskutuar këtë të enjte për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, si dhe për hapat që duhet të ndërmarrë shteti i ri për të aplikuar sërish vitin e ardhshëm.

Ish-ambasadori i Greqisë në Kosovë tha se, përveç fushatës së dëmshme që ka bërë Serbia për mosanëtarësim të Kosovës në UNESCO, një pjesë e fajit bie mbi institucionet kosovare që eksportuan pamje negative në botë.

“Ekzistojnë dy gabime të Kosovës, që janë përdorur si argumente për mosanëtarësim në UNESCO. Së pari kanë qenë trazirat e vitit 2004, dhe së dyti kanë qenë skenat e përsëritura me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, vitin e kaluar. Këto imazhe janë parë në të gjithë botën”, tha Dimitris Moschopoulos, ish-ambasador i Greqisë në Kosovë.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha se, Kosova nuk duhet të ndalojë punën për anëtarësim në UNESCO, ndërsa rekomandoi që brenda këtij viti, Kuvendi të miratojë ligjin për fetë dhe atë për trashëgiminë kulturore, sipas rekomandimeve të Këshillit të Europës.

“Nëse arrijmë t’i bëjmë këto ndryshime ligjore gjatë këtij viti, duke qenë se janë edhe parakushte, paralelisht të rrisim edhe lobimin, atëherë vitin e ardhshëm gjatë verës ne mund të aplikojmë sërish për anëtarësim në UNESCO”, tha Petrit Selimi, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, Kosovë.

Në këtë tryezë u tha se, Kosova nuk do të pranojë asnjëherë të bisedojë në Bruksel me Serbinë për çështjen e anëtarësimit në UNESCO, pavarësisht këmbënguljes së Beogradit. Nëntorin e kaluar, Kosova e humbi për vetëm tri vota antarësimin në UNESCO.

Top Channel