Shpërndarja e metadonit në Kosovë, reagon MSH pas denoncimit në “Fiks Fare”

14/04/2016 00:00

Pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare” në Top Channel, të abuzimeve që ndodhin në Kosovë me metadonin, substancën që duhet të luftojë varësinë nga droga, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë pritet që të kryejë verifikimet ndaj farmacive, për të vërtetuar dhënien pa recetë të tij siç u pasqyrua në faktet e publikuara nga emisioni.

“Nëse Ministria e Shëndetësisë do të marrë një informacion të saktë, janë institucionet brenda ministrisë që do të interesohen për rastin që ka ndodhur. Sigurisht që janë institucione të tjera që do ta hulumtojnë rastin dhe do të shohin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Në ministri ka ardhur si informacion. Sigurisht që do të adresohet në institucionet përgjegjëse, që do ta hulumtojnë rastin”, tha Pashk Buzhala, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë, MSH.

Ministria e Shëndetësisë mbron si të ligjshme të gjithë veprimtarinë në qendrën “Labyrinth”, që lufton me metadon varësitë nga droga në Kosovë, edhe pse “Fiks Fare” shfaqi përdorues që implikonin rolin e kësaj qendre në krijimin e varësisë nga metadoni, i cili përveçse shitet pa recetë nga farmacitë, jepet edhe në bazë të një programi për përdorim nga goja, nga kjo qendër.

Të pyetur nga Top Channel, nëse është e ligjshme dhënia e këtyre dozave për të gjithë fundjavën nga kjo qendër, duke u lënë kështu në duar pacientëve më shumë se një dozë ditore, ministria pranon se kjo bëhet në bazë të një udhëzimi administrativ.

Në një intervistë për Top Channel, drejtori i kësaj qendre, Safet Blakaj ka sqaruar se, dhënia me vete e dozave është e bazuar në një udhëzim administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne bazohemi në rregullat ndërkombëtare përmes udhëzimit administrativ nga Ministria e Shëndetësisë dhe protokolli i metadonit. Të gjitha këto e lejojnë dozën me vete. Nuk mund ta lidhim klientin përgjithmonë me qendrën tonë, ose me një qendër tjetër të metadonit. Duhet dhënë hapësirë, që ai vet të zhvillojë sensin e administrimit”, tha Safet Blakaj, drejtor i “Labyrinth”.

“Fiks Fare” zbuloi se, metadoni injektohet në mënyrë të rrezikshme në mes të ditës, në objekte të braktisura në Prishtinë, e pikërisht me shiringa të kësaj qendre. Ministria dhe drejtori i qendrës e pranojnë këtë fakt, por thonë se shpërndarja e shiringave ndodh për arsye të tjera, si pjesë e programit me qëllim parandalimin e infektimit me virusin HIV, për përdoruesit e drogave me injeksione në damar.

Top Channel