Pa peshëngritje në Olimpiadë. Bezhani: Shqipëria nuk përfiton më ftesa “lëmoshe”

14/04/2016 00:00

Dështimi i peshëngritjes në Europianin e Norvegjisë godet akoma më rënd paraqitjen e delegacionit shqiptar në Lojërat Olimpike “Brazil 2016”. Për herë të parë ndoshta në këtë Olimpiadë ne do të jemi pa sportin tonë që vitet e fundit na ka dhënë si gëzimet ashtu dhe zhgënjimet më të mëdha, peshëngritjen.

Shqipëria, nisur nga Olimpiada e shkuar kur shkoi me 11 sportistë, nuk konsiderohet më një vend me përfaqësi të vogël e si rrjedhojë nuk përfiton më ftesa, sipas presidentit të KOKSH, Viron Bezhani.

“Besoj se këtë vit për herë të parë do të shkojmë në Olimpiadë me një delegacion të vogël, sigurisht edhe për shkak të pershëngritjes. Ne si vend nuk kemi të drejtë të marrim ftesa, ato mund t’i marrin federatat, por si Komitet Olimpik nuk na takon asjë ftesë”, u shpreh Viron Bezhani, presidenti i KOKSH.

Aktualisht Shqipëria ka 4 sportistë që kanë siguruar pjesëmarrjen për në Olimpiadë, dy prej tyre kanë siguruar kualifikimin B dhe dy të tjerë janë me ftesa, ndërkohë që pritet edhe një ftesë nga Federata e Qitjes. Sa i përket kulifikueseve të fundit të boksit dhe munjdes, Bezhani shton.

“Duhet të kemi fat sepse janë dy sporte për të cilat nuk shquhemi, pra bëhet fjalë për boksin. E njëjta gjë ndodh edhe te mundja pasi nuk shpresojmë te sportisi ynë sepse vetëm një do të çojmë për kualifikim”, vijoi kreu i KOKSH.

Në dy Olimpiadat e fundit, në Pekin dhe Londër, Shqipëria është përfaqësuar me mbi 10 sportistë, ndërkohë që pjesëmarrja minimale është ajo e Atlantës në vitin 1996, me 5 sportistë, një shifër që po përsëritet 20 vite më pas.

Top Channel