“Made in Albania” është premiera më e re që do të ngjitet sonte në mbrëmje në Teatrin Eksperimental, ngjarjet e së cilës zhvillohen në një fasoneri, ku punojnë vetëm gra. Konflikti i dramës, me regji nga Altin Basha e skenar nga Stefan Çapaliku, nis pikërisht këtu: A duhet të kenë këto veshje etiketën “Made in Albania”?

“Kjo është një vepër e cila është e mbështetur fort mbi realitetin shqiptar. Jo vetëm në atë realitet që ne shohim përditë, por për atë realitet të fshehur në bodrum ‘underground’, sepse për fat të keq neve shpesh nuk na pëlqen identiteti ynë. Shpesh preferojmë të marrim një identitet tjetër, duke lënë mënjanë tonin, duke mos vlerësuar aftësitë, talentet dhe burimet shqiptare”, tha regjisori Altin Basha.

Pjesa rikthen pas disa vitesh në skenë Zyliha Milotin dhe Luftar Pajën, në një lojë aktrimi që bën bashkë artistë të brezave të ndryshëm, për të dhënë përmes dramës shqiptare të munguar një sërë mesazhesh.

“Bërja e publikut dëshmitar të dramave të përditshme sociale, të familjeve dhe të individëve shqiptarë, e mbi të gjitha të dramave gjinore, që janë një problem i përditshëm i shoqërisë shqiptare. Dhuna në familje, dhuna fizike ndaj grave… Vepra ka një kast të madh femrash dhe padyshim secila prej tyre sjell një pjesë të historisë së saj personale në këtë fasoneri. Aty ku ato në fakt, përveç përpjekjes për të bërë etiketat ‘Made in Albania’, edhe shfryjnë apo ripërjetojnë dramat, por edhe lumturinë e gëzimet e tyre”, deklaroi më tej Altin Basha.

“Made in Albania” do të shfaqet premierë më 14 prill dhe do të vijojë gjatë fundjavave në Teatrin Eksperimental.

Top Channel