Olympique Marseille del në shitje

14/04/2016 00:00

Olympique Marseille del në shitje. Lajmi u konfirmua nga vetë pronarja e klubit francez, Margarita Louis-Dreyfus nëpërmjet një komunikate të dhënë për median transalpine. Në deklaratën e saj, Louis-Dreyfus theksoi se do ta shesë klubin tek ai që do të mundësojë investimin më të mirë afatgjatë.

“Çmimi nuk është shqetësimi im kryesor, megjithatë është me rëndësi që aksionerët e rinj të klubit të jenë në gjendje që të ndërtojnë një ekip që të luajë në nivele të larta dhe të fitojë”, tha Louis-Dreyfus.

Mundësia e shitjes së klubit marsejez është folur edhe në të kaluarën, por vetëm tani ajo u konfirmua. Sipas burimeve të brendshme të Olympique, javët e fundit në selinë e këtij kubi kanë mnbërritur tashmë disa oferta për blerjen e tij.

Olympique Marseille, kampion i Europës në vitin 1993, po përjeton një sezon shumë të vështirë. Aktualisht kjo skuiadër është në vendin e 14 në kampionat vetëm 6 pikë larg zonës së rënies nga kategoria.

Margarita Louis-Dreyfus, që në vitet e fundit ka investuar dhjetëra milionë euro në klub, deklaroi se Marseille e ka të vështirë që të konkurrojë me skuadra që kanë mbështetjen e qeverive apo kontrata të majme sponsorizimi me kompanitë më të njohura sportive.

Ajo e mori presidencën e Olympique Marseille në vitin 2009 pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, Robert. Herën e fundit që Olympique Marseille ka fituar titullin kampion të Francës ka qenë në vitin 2010.

Top Channel