Grup ekspertësh për statutin e Asociacionit të Komunave Serbe

14/04/2016 00:00

Kundërshtimet e shumta të opozitës ndaj marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila vlerësoi se 23 pika të marrëveshjes nuk ishin në përputhje të plotë me Kushtetutën, kanë shtyrë qeverinë që të mos ngutet me hartimin e statutit për Asociacionin.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Bajram Gecaj tha për Top Channel se, kryeministri Isa Mustafa do të formojë një ekip ekspertësh, ku do të ftohet edhe opozita, për të lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që do të shërbejë si kornizë gjatë punës për hartimin e statutit.

“Statuti duhet të përpilohet nga 4 serbë, të cilët janë pjesë e grupit menaxhues. Ata do të punojnë së bashku me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe OSBE-në. Por, kohë pas kohe do të udhëtojmë edhe në Bruksel, në mënyrë që ky statut të jetë në përputhje të plotë me marrëveshjen e vitit 2013, që është ligj, dhe me kornizën, të cilën na e ka caktuar Gjykata Kushtetuese”, tha Bajram Gecaj, zv.ministër i Pushtetit Lokal, Kosovë.

Drejtori i Institutit kosovar për Qeverisjen Lokale, Besnik Tahiri, i cili njëherësh është edhe këshilltar i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë për Top Channel se, Qeveria duhet të shikojë me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, pasi – sipas tij, – çdo devijim nga ky vendim do të sillte dëme të pariparueshme për Kosovën.

“Çfarëdolloj asociacioni që do të krijohet, nuk duhet të ketë asnjë premisë të nivelit të dytë, nuk duhet të ketë asnjë premisë të përgjegjësive ekzekutive, që mund t’i ketë një asociacion i tillë. Në veçanti ky asociacion, duke ditur faktin se do të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi”, tha Besnik Tahiri, drejtor i Institutit kosovar për Qeverisjen Lokale.

Edhe pse zyrtarisht, në qeveri nuk tregojnë se kur do të nisë puna për draftin e statutit të Asociacionit, jozyrtarisht mësohet se Brukseli do t’i kërkojë Prishtinës hartimin e statutit para pushimeve të verës.

Top Channel