NBA, Golden State Warriors thyen rekordin e Chicago Bulls

14/04/2016 11:20

Ndërsa në Los Angeles nderohej Kobe Bryant, i cili i dha lamtumirën basketbollit, Golden State shkroi historinë e NBA. Skuadra e Warriors e mbylli sezonin e rregullt me një fitore të lehtë ndaj Memphis Grizzlies, duke vendosur një rekord të ri në NBA, me 73 fitore dhe vetëm 9 humbje në sezonin e rregullt, duke thyer atë të Chicago Bulls të sezonit 1995-1996.

Nuk kishte se çfarë të bënte më shumë Golden State, që është një skuadër shumë e re dhe e drejtuar nga një emër i njohur i basketbollit si Steve Kerr. Sigurisht, të kesh në skuadër një fenomen si Stephen Curry gjërat bëhen akoma edhe më të lehta. Këtë, basketbollisti i Golden State e tregoi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Grizzlies. Curry e mbylli këtë sezon me 402 gjuajtje të sakta për 3 pikë, duke vendosur një rekord të ri në kampionatin e NBA, një rekord që mund të qëndrojë gjatë në fuqi.

Përsa i përket ndeshjes, Golden State i vuri bazat e fitores që në dy periodat e para, të cilat i mbylli me rezltatin 70-50. Pjesa e dytë e ndeshjes i shërbeu Golden State vetëm për të administruar këtë avantazh, madje trajneri Steve Kerr pati luksin të zëvendësojë yllin e kësaj skuadre Stephen Curry, i cili e la parketin me 46 pikë personale.

Ditën e shtunë do të nisin ndeshjet e “playoff”-it dhe Golden State do të përballet me Houston Rockets. Çiftet e tjera që do të luhen në këtë ditë janë Indiana-Toronto, Boston-Atlanta dhe Dallas-Oklahoma.

Top Channel