Liverpool-Dortmund, gjermanët nuk fitojnë në “Anfield”

13/04/2016 00:00

Jurgen Klop nuk do të dëshironte kurrë humbjen e Borusias së Dortmundit, por përballë dashurisë së vjetër duhet të respektojë kontratën profesioniste dhe të sillet si trajner i Liverpoolit.

Gjermani që ka përjetuar kulmin e karrierës me ekipin e “Signal Iduna Park”, i kërkoi “reds” impenjimin maksimal të enjten në mbrëmje në Europa League, në një ndeshje që mund të kalojë kufirin e 90 minutave.
 
Në diskutim janë gjysmëfinalet e kupës më të vogël kontinentale për futbollin e klubeve dhe gjithçka nis nga barazimi 1-1 në Gjermani.

“‘Anfield Road’ do të jetë një avantazh shumë i madh për ne, më i madh sesa goli në fushë kundërshtare që shënoi Origi. Por Liverpool ka përgjegjësinë që të diktojë nivelin e përkrahjes së tifozëve me një paraqitje kurajoze. Në çdo aksion ofensiv kundërshtari shton besimin dhe nuk duhet ta lejojmë. Dortmundi do të jetë në maksimumin e aftësive”, tha Jurgen Klopp.
 
Borusia është kritikuar në mediat vendase për paraqitjen nervoze në sfidën e parë ndaj anglezëve, por kjo surprizon trajnerin e Liverpoolit.

“Është e qartë se nuk ia bëmë gjërat e lehta Dortmundit javën e kaluar, pro as ne nuk ishim ku duhet. Ndeshja në shtëpi do të ketë një përgatitje tjetër edhe pse nuk jemi nën presion për të arritur diçka”, vijoi Klopp.

Asnjë skuadër gjermane nuk ka arritur të fitojë ndaj Liverpoolit në “Anfield Road”, në 17 përballje europiane të zhvilluara, madje asnjë ekip gjerman nuk ka shënuar më shumë se një gol në tempullin e “reds”.

Top Channel