Benzema konfirmon: Nuk do jem në Euro 2016

13/04/2016 00:00

Karim Benzema do të jetë mungesa e madhe e Euro2016. Sulmuesi i Realit të Madridit konfirmoi përmes rrjeteve sociale se nuk do të përzgjidhet në formacionin e “Gjelave”.

Njoftimi i tij mbërriti pas takimit me kreun e Federatës Franceze të Futbollit.

“Fatkeqësisht për mua dhe për të gjithë ata që më mbështetën e më mbështesin, nuk do të përzgjidhem për Euro 2016”, shkruan Benzema në Tëitter.

Telashet për 28-vjeçarin nisën pas publikimit të një videoje intime të Valbuenas. Me këtë video mesfushori i Francës ishte shantazhuar dhe Benzema përfundoi në gjyq si një ndër të dyshuarit për këtë.

Atij iu ndalua që të takohej me lojtarët e tjerë të kombëtares franceze, vendim që u hoq në muajin mars kur edhe u duk se sulmuesi i Realit do të rikthehej me “Gjelat”. Por gjërat kanë marrë një drejtim krejt tjetër pas takimit me presidentin e federatës franceze.

Hera e fundit që Benzema ka veshur fanelën e kombëtares së Francës është miqësorja me Armeninë, e fituar nga “Gjelat” me rezultatin 4-0, ku Benzema shënoi dy herë.

Lajmi i keq për Benzemanë dhe Francën mund të jetë një lajm i mirë për Shqipërinë, pasi “Kuqezinjtë” janë në një grup me Francën, Rumaninë dhe Zvicrën.

Top Channel