Idomeni, sërish përplasje e gaz lotsjellës ndaj emigrantëve

13/04/2016 00:00

Policia e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë i është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe granata tymuese, përpjekjes së një grupi prej gati 100 emigrantësh, kryesisht nga Afganistani dhe Maroku, për të shembur dhe kapërcyer gardhin që ndan dy vendet fqinj, në kampin provizor të Idomenit, në Greqinë veriore.

Në fillim, grupi i emigrantëve është mbledhur pranë gardhit dhe ka hedhur parrulla, me të cilat kërkonte hapjen e kufijve. Më pas janë grumbulluar edhe emigrantë të tjerë, të cilët kanë filluar të hapin gardhin dhe të përpiqen ta kapërcejnë atë. Në këtë moment, policia e Maqedonisë është përgjigjur me gaz lotsjellës, ndërsa emigrantët kanë hedhur ndaj tyre gurë dhe sende rrethanore.

Konfrontimet vazhdojnë ende, por pa të lënduar, ndërsa pranë gardhit nga ana greke ka ndërhyrë edhe një forcë e policisë greke, që përpiqet të ndalojë përshkallëzimin e situatës.

Tension ka edhe në Janinë, ku refugjatët, të cilët janë shpërngulur nga Larisa në qendrën e pritjes në Katsika, kundërshtojnë të hyjnë në kampin e ngritur dhe vazhdojnë të qëndrojnë për të dytën ditë me radhë brenda autobusëve, të cilët i kanë sjellë atje.

Top Channel