Kosova, më afër UEFA-s e FIFA-s, delegacioni dypalësh viziton Prishtinën

13/04/2016 00:00

Pak ditë para se Kosova të votohet për pranimin në UEFA dhe më pas në FIFA, zyrtarë të lartë të këtyre dy organizatave më të rëndësishme të futbollit europian e botëror kanë vizituar Kosovën.

Ata zhvilluan një takim me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, si dhe me zyrtarë të tjerë të FFK-së, ku u diskutua lidhur me aplikimin e përgatitur nga pala kosovare për anëtarsim në UEFA dhe FIFA.

“Është formuar një byro, një komision ‘ad hoc’ që përbëhet në nivelin më të lartë nga Senesh Ezrik, i cili është kryetar i Asociacionit të Federatave sportive Botërore; nga Piter Gillerom, i cili është nënkryetar i UEFA-s dhe FIFA-s; nga Nicola Luca, administrator i shërbimeve ligjore; si dhe Thierr Favre, përfaqësues nga UEFA. Ky komision ka ardhur këtu që të vlerësojë aplikimin tonë. Do të thotë që të shihet nga dora e parë, nëse është real aplikimi që kemi bërë”, tha Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së.

Sipas Salihut, zyrtarët e UEFA-s dhe të FIFA-s vlerësuan aplikimin si të shkëlqyeshëm, ndaj u organizuan takime edhe me Presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala. Në këto takime u kërkua përkrahje për Federatën e Futbollit Kosovar, kryesisht për infrastrukturën e stadiumeve, e që sipas Salihut është problemi më i madh për futbollin kosovar.

Pas vizitës dyditore, ku përfshihet edhe vizita në stadiumet e Prishtinës dhe të Mitrovicës, komisioni do të përgatisë një raport, të cilin do t’ia paraqesë Kongresit të UEFA-s, që më 3 maj do të mblidhet në Budapest dhe do të votojë “pro” ose “kundër” pranimit të Kosovës.

Top Channel