Balotellin nuk e do askush

13/04/2016 13:25

E ardhmja e Mario Balotellit është kthyer në një mister të vërtetë. Në dy vitet e fundit sulmuesi italian nuk ka bindur aspak drejtuesit e Milanit, duke shënuar vetëm 8 gola.

Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit kuqezi të mendojnë refuzimin e blerjes së futbollistit, kartoni i të cilit është ende në zotërimin e Liverpulit.

Por klubi anglez duket se nuk dëshiron më ta ketë në radhët e tij dhe sipas asaj që publikohet te “Daily Mail”, “The Reds” janë vënë në kërkim të një skuadre tjetër për të. Një detyrë kjo shumë e vështirë për t’u realizuar, duke parë paraqitjen zhgënjyese të futbollistit.

Së fundmi është folur për një kalim të mundshëm të Balotellit në kampionatin kinez, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që Liverpuli të zgjidhë kontratën me sulmuesin italian. Bisedimet me Raiolën nuk do të jenë të lehta, por te “The Reds” të gjithë janë të bindur: Balotelli nuk ka më vend te skuadra angleze.

Top Channel