Peshëngritje, dështon Briken Calja; merr medalje vetëm në shkëputje

12/04/2016 22:15

Briken Calja doli jashtë pritshmërive në Europianin e peshëngritjes që po zhvillohet në Norvegji. 26-vjeçari mori medalje bronzi në stilin e shkëputjes, ndërkohë që në dygarësh nuk u fut fare në klasifikim për shkak të dështimit total në stilin e shtytjes. Ky rezultat i dobët i shuan shpresat e tij për t’u kualifikuar në “Rio 2016”.

Briken Calja zhgënjeu në Europianin e peshëngritjes duke mos arritur të futet në klasifikimin e dygarëshit në peshën 69 kg. Në fakt, 26-vjeçari mori medalje bronzi në stilin e shkëputjes, por dështimi në stilin e shtytjes dhe njëkohësisht në dygarësh i shuan përfundimisht shpresat e tij për të garuar në lojrat olimpike “Rio 2016”.

Calja e nisi garën në stilin e shkëputjes me peshën 142 kg, për të kaluar më pas në 145 kg. Në provën tretë, peshëngritësi shqiptar dështoi me 147 kg, duke ia dhuruar medaljen e argjendit në këtë stil rusit Sergei Petrov.

Zhgënjimi erdhi në stilin e shtytjes, aty ku Calja nuk arriti në asnjë provë të ngrejë peshën 177 kg. Rezultati në Europianin e Norvegjisë quhet një dështim për Briken Caljan, i cili pak muaj më parë zuri vendin e 8 në Botërorin e Amerikës.

Top Channel