Milan dhe Berlusconi, “mallkimi” i trajnerëve të huaj

12/04/2016 00:00

Mallkimi i trajnerëve të huaj në pankinën e Milanit nuk e kurseu as Mihajlovic. Serbi dështoi në drejtimin e “kuqezinjve” por nuk është i vetmi që është larguar me bujë nga presidenca, që statistikat tregojnë se pëlqen vetëm drejtim teknik italian pavarësisht të gjithave.

Silvio Berlusconi është një politikan me shumë influencë në Apenine por suksesin më të madh e ka pasur në sport me klubin më të titulluar. Por i pari që kishte përplasje me kavalierin ishte Nils Liedholm, një prej futbollistëve më të mëdhenj suedez që shkroi historinë e Milanit së bashku me Grenolin.

Pas një disfate në shtëpi ndaj Sampdorias në vitin 1987, Baroni u shkarkua nga pankina pas një mbledhjeje në Arkore, zonë që atëherë ishte teatër i zgjidhjeve të rëndësishme. Në vend të tij vihet përkohësisht një i ri me emrin Fabio Capelo, që do t’i lëshonte vendin Arrigo Sacchit në fund të sezonit.

Duhej pritur vera e vitit 1996 për të parë një tjetër të huaj në pankinën e “kuqezinjve”, pasi drejtuesit i besuan pankinën Oscar Washington Tabarez. Uruguajani kishte fituar Kupën Libertadores dhe me kombëtaren e vendlindjes arriti në finalen e Kupës së Amerikës.

Por, në batutët e parë Berlusconi e cilësoi një këngëtar të Sanremos ndërsa shkarkimi nuk vonoi. Tabarez në gusht humbi Superkupën e Italisë dhe u largua.

Në vitin 2001, Berlusconi zgjidhi Fatih Terim në pankinën kuqezi, një turk vullkanik dhe impulsiv me idenë e një futbolli spektakolar. Por ajoq ë mungoi ishte vijueshmëria e rezultateve dhe pasi nuk respektoi diktatin presidencial, “perandori” turk u shkarkua në 5 muaj.
 
Leonardo ishte trajneri i katërt i huaj në epokën Berlusconi, por pas vetëm një sezoni, braziliani u largua duke përplasur derën, madje duke u hakmarrë e duke firmosur me Interin.

Më pas erdhi radha Clarence Seedorf, një futbollist me ngjyrë që ishte idhull mes tifozëve por nuk pati të njëjtat rezultate në stol. Ai u shkarkua nga Milan për t’i lënë vendin Filippo Inzaghit pas vetëm 6 muajsh.

I fundit në radhë, Sinisha Mihajlovic nuk ia doli që të paktën përkohësisht të thyente tabunë e trajnerëve të huaj, në listën e pagave të Berlusconit.

Top Channel