Ndeshja ndaj Mornar, Prishtina pret Ligën Ballkanike

11/04/2016 00:00

Skuadra e basketbollit Sigal Prishtina ka finalizuar përgatitjet e fundit për ndeshjen e radhës në Ligën Ballkanike, një test i vështirë ndaj malazezëve të Mornar që e afron më shumë me titullin.

Gjigantët e formacionit kosovar premtojnë që do të sjellin trofeun e fitores për herë të dytë, por pavarësisht entuziazmit ata qëndrojnë me këmbë në tokë.

Sigal Prishtina është konfirmuar si skuadër e një tjetër niveli krahasuar me rivalët në basketbollin kosovar, si me suksese ashtu edhe me organizim. Por mungesa e një fushe është problemi më i madh që ka ky ekip.

Trajneri Antonis Constantinides, nënvizon se para finaleve, si kjo e Ballkan Ligës, klubi duhet të stërvitet në fusha të huaja.
 
“Për mua është e papranueshme që një klub si Sigal Prishtina të mos ketë fushën e tij dhe që të na duhet që 3 ditë para finaleve te shkojmë në vende të tjera. Unë luaj në shumë ndeshje europiane, punoj në 3 shtete të ndryshme dhe për mua ky është një problem shumë, shumë i madh”, ka thënë Constantinides.
 
Pavarësisht problemeve, trajneri i skuadrës së basketbollit beson se Sigal Prishtina do fitojë garën, edhe pse përballë do ta kenë një ekip mjaft të fortë.

Top Channel