Kalendari i favorshëm, Juve prek titullin më 25 prill

11/04/2016 00:00

Kur duhen ende 6 ndeshje nga fundi i Serisë A dhe me një avantazh prej 6 pikësh me vendin e dytë, për Juventusin ka nisur numërimi mbrapsht për festën e shumëpritur të titullit.

Matematika e mban ende larg rikonfirmimin e tringjyrëshit në fanela por me 4 sfida që luhen në shtëpi dhe me një kalendar që tashmë e ka kthyer në favor, formacioni i Masimiliano Allegrit mund të festojë kampionatin e pestë radhazi në 2 ose 3 javë.
 
Kryqëzimi i parë duket se është më 24 dhe 25 prill kur Juve luan në stadiumin “Artemio Franchi” ndaj Fiorentinës dhe Roma pret Napolin. Nëse titulli nuk vendoset me koktejlin e dy rezultateve, atëherë më 1 maj, në javën e 36 të Serisë A, “bardhezinjtë” kanë një shans tjetër.

Më fjalë të varfra, Juventus mund t’i lejojë vetes të humbasë dhe të barazojë nga një herë në kalendarin e mbetur, ndërsa për “të kaltërit” që janë rivalët e vetëm që rrezikojnë fronin e “zonjës së vjetër”, duket mision i pamundur.

Transfertat e vështira në fushën e Interit dhe Romës e bëjnë thuajse një mirazh titullin për skuadrën e San Paolos.

Nëse Napoli nuk i mund “zikaltërit” e Mancinit dhe Juve merr pikë të plota me Palermon dhe më pas Lazion në mesjavë, “match point” i parë luhet në Firence.

Në të kundërt më 1 maj nëse Roma frenon jugorët, atëherë “zonja e vjetër” laureohet sërish në fronin e futbollit italian.

Top Channel