Strategjia kineze: Në 2050-n do të jemi superfuqi botërore në futboll

11/04/2016 00:00

Gjatë merkatove të fundit në botën e futbollit kemi ndeshur shpesh oferta marramendëse nga skuadra kineze për lojtarë të mëdhenj të futbollit europian, edhe pse mund të konsiderohen “në perëndim” të karrierës së tyre. Shumëkush është habitur, madje shumë medie sportive kanë shkruar artikuj dedikuar shpenzimeve kolosale me prejardhje kineze.

Megjithatë, e gjithë kjo përpjekje e ka një justifikim. Kina dëshiron të bëhet “superfuqi e futbollit botëror”, e për këtë objektiv ka zbuluar edhe strategjinë sesi do ta arrijë atë me një afat deri në vitin 2050. Strategjia parashikon që deri në vitin 2020, në Kinë te jenë të paktën 50 milionë fëmijë dhe të rritur që e luajnë këtë lojë magjike. Jo vetëm kaq, pasi ndër objektivat për t’u përmbushur janë edhe ngritja e të paktën 20 mijë qendrave stërvitore të futbollit, si dhe 70 mijë fushave të blerta, pikërisht deri në vitin 2020.

Edhe pse Kina shkëlqen nëpër garat e Lojërave Olimpike, apo në ato Paralimpike, në futboll vendi i Lindjes së Largët është kualifikuar vetëm në një Botëror, atë të vitit 2002 në Kore dhe Japoni. Presidenti kinez, Xi Jinping është një tifoz i zjarrtë i futbollit dhe në të kaluarën është shprehur se, dëshiron që Kina të fitojë një kampionat botëror në 15 vitet e ardhshme.

Plani është publikuar këtë të hënë nga Federata Kineze e Futbollit. Në të janë të përcaktuara më së miri objektivat afatshkurtra, afatmesme dhe ato afatgjata, përfshi këtu pasjen e një fushe futbolli për çdo 10 mijë banorë deri në vitin 2030.

Ekipi kombëtar i meshkujve pritet të bëhet kështu një prej më të mirëve në Azi, ndërkohë që përfaqësuesja e femrave me të gjitha gjasat do të bëhet një ekip i klasit botëror deri në vitin 2030, shkruhet në plan. Raporti shton se, deri në vitin 2050 Kina do të bëhet “një superfuqi e klasit të parë”, që “kontribuon mjaftueshëm në botën e futbollit ndërkombëtar”.

Aktualisht, përfaqësuesja e Kinës renditet e 81-ta në renditjen botërore të FIFA-s, shumë më larg sesa kombëtare të tjera të vogla si Haiti, Panamaja dhe Benini. Ndërkaq, kampionati kombëtar është tronditur gjatë viteve të fundit nga skandale korrupsioni, teksa 33 lojtarë dhe zyrtarë janë përjashtuar në vitin 2013 për trukim ndeshjes, ndaj dhe përpjekje të shumta janë bërë edhe për të pastruar futbollin nga këto vese.

Top Channel