Kosovë, përkujtohet 17-vjetori i rënies së heroit që hapi kufirin kosovaro-shqiptar

11/04/2016 00:00

Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, në Prishtinë është përkujtuar 17-vjetori i rënies së hartuesit të planit për hapjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, heroit të kombit Agim Ramadani.

Agim Ramadani udhëhoqi “Brigadën 138” të UÇK-së, e cila zhvilloi betejën e lavdishme të Koshares për 70 ditë radhazi, ku humbën jetën 140 luftëtarë, ndërsa pas rënies së heroit, brigada mori emrin e tij.

“Bëhet fjalë për betejën më të lavdishme të zhvilluar ndonjëherë në trojet shqiptare, e cila përveç karakterit dhe rëndësisë operative ushtarake, kishte rëndësi të madhe edhe në planin strategjik e sidomos në atë politik”, tha Haki Demolli, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Agron Jusufi, ish-pjesëtar i “Brigadës 138, Agim Ramadani” tha se, çështja e lirisë së Kosovës ishte çështje mbijetese dhe asesi krijimi i një kombi kosovar, duke shtuar se vepra e komandantit mbetet synim për shokët e luftës.

“Kanë kaluar 17 vite e një ditë, prej kur për herë të fundit u përshëndeta me Agimin në oborrin e Karakollit në Koshare. Në atë kohë ai ishte 36 vjeç, ndërsa unë sot para jush jam 44. Shumica dërrmuese që patëm rastin ta njohim Agimin, sot jemi në moshë më të madhe sesa ishte ai atëherë, e megjithatë të gjithë e kemi ende parasysh Agimin si tregues, personalitetin e tij si matës për gjendjen tonë, e kemi veprën e tij si synim”, tha Agron Jusufi, ish-pjesëtar i “Brigadës 138, Agim Ramadani”.

Ndërsa i biri i heroit Agim Ramadani, me një thënie nga i ati i bëri thirrje për bashkim klasës politike në vend.

“Kur pushkët bashkohen, edhe krismën e kanë më të fortë”, le të përdoret ky mesazh për udhëheqjen politike. Këtë ua keni borxh dëshmorëve dhe gjeneratave të reja, të cilët e meritojnë një jetë më të mirë”, tha Edon Ramadani, i biri i heroit Agim Ramadani.

Agim Ramadani ra heroikisht te vendi i quajtur “Rrasa e Zogut”, dy ditë pasi hoqi gurin e kufirit shqiptaro-shqiptar në 1999-n.

Top Channel