Kosovë-Shqipëri, tashmë me një pikë të përbashkët kontrolli kufitar

11/04/2016 00:00

Kosova dhe Shqipëria kanë rënë dakord që t’i heqin kontrollet e dyfishta kufitare, duke propozuar një model të ri për të shmangur radhët në prag të sezonit turistik.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Kosovë për ceremoninë e Presidentit Hashim Thaçi, është takuar me kryeministrin Isa Mustafa, me të cilin kanë diskutuar një model të ri kontrolli kufitar.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Valdet Hoxha ka konfirmuar për Top Channel se, tanimë policitë kufitare nga të dyja anët e kufirit i kanë bërë rekomandimet dhe, së shpejti do të nisë zbatimi i marrëveshjes së re.

“Ideja është që të ketë një pikë të përbashkët kontrolli, por të ketë dy kontrolle. Të dyja autoritetet e policisë, asaj shqiptare dhe asaj kosovare, duhet të jenë të vendosura në një kabinë dhe të ketë kontroll të dyfishtë, me qëllim lehtësimin e kontrollit të qytetarëve që e frekuentojnë këtë pikë të kalimit kufitar”, tha Valdet Hoxha, zv.ministër i Punëve të Brendshme, Kosovë.

Hoxha tha se, kjo formë kontrolli është bërë në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave, që më 14 nëntor të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Kosova vendosjen e dyfishtë të kontrollit kufitar me Shqipërinë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili ka qenë në takimin e të dy kryeministrave, ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se, në takimin Rama-Mustafa është vendosur që marrëveshja e re të nisë të zbatohet para mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, e cila do të mbahet në fund të muajit maj në Kosovë.

Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, në pikëkalimin e Vermicës, gjatë sezonit turistik kalojnë deri në 40 mijë makina, apo rreth 100 mijë qytetarë brenda një dite.

Top Channel