Rritjen e atij që e cilëson “ekstremizëm politik” në Ballkan, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç e sheh si kërcënim për stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës e mbarë rajonit, situatën e të cilit, gjithmonë në këndvështrimin e kreut të ekzekutivit në Beograd, vendimet e fundit gjyqësore e kanë më të paqëndrueshme se ç`ka qënë për vite të tëra.

Shqetësimin tim më të madh e përbën Bosnja, i tha ai organizatës politiko-gazetareske Politico, çdo gjë që ndodhet brenda apo përreth saj. Kush e di se çfarë shkëndije mund të ndezë ai vend.

Komentet e liderit serb vijnë më pak se dy javë përpara zgjedhjeve e disa e konsiderojnë thjesht përpjekjen e një njeriu që tenton të shfaqet si zëri i vetëm të arsyes në një rajon kaq të rrëmbyer sa ky.

Por kalkulim politik apo jo, e vërteta, thotë Politico, është se emocionet janë shtuar në Ballkan duke e vendosur Europën përballë rrezikut të një tjetër krize potenciale.

Dy vendimet e gjykatës ndërkombëtare penale, njëri me dënimin e dhënë Radovan Karaxhiçit, tjetri për shfajësimin e ultranacionalistit serb Vojisllav Sheshel për krime lufte, kanë përflakur pasionet e të gjithe krahëve. Muslimanet e Bosnjes dhe kroatët u ankuan se dënimi i Karaxhiçit me 40 vjet burg ishte shumë i butë, ndërsa pafajësia e Sheshelit i ka bërë t`iu ziejë gjaku.
Rrëzimin e akuzave ndaj Sheshelit, nacionalistët serbë nga ana e tyre e shohin si provën se janë shënjestruar padrejtësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Serbët kanë kohë që ankohen se janë detyruar të mbajnë peshën kryesore të fajit për luftrat ballkanike të viteve ‘90 që shoqëruan shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

Në bazë të marrëveshjes së paqes së vulosur në 1995-sën, Bosnja u nda në dy entitetet, njëri i kontrolluar bashkarisht nga boshnjakët muslimane dhe kroatët e tjetri, Republika Srpska, është në duart e serbëve lokale. Pakti megjithatë është i brishtë, dhe serbët nuk reshtin së kërkuari më shumë autonomi, ndërsa kroatët duan edhe ata ta zgjerojnë fetën e tyre. Sa për Kosovën, Vuçiç tha “nuk shoh ndonjë mundësi për konflikte në të ardhmen, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme politike mes saj dhe Serbisë”.

Top Channel