ISIS urdhëroi sulmin në “Euro 2016”

11/04/2016 14:45

Kampionati Evropian i Futbollit ishte shënjestra kryesore e sulmeve të Shtetit Islamik. Ai që e pohoi këtë ishte anëtari i këtij grupi terrorist, Mohamed Abrini, i arrestuar javën e kaluar në Bruksel në momentin që u mor në pyetje nga autoritetet policore.

“Nuk është çudi që terroristët duan të sulmojnë “Euro 2016”. Forcat e sigurisë prej kohësh po punojnë për të qenë gati për t’iu përgjigjur ndonjë sulmi të mundshëm. Nëse deklaratat e Abrinit janë të vërteta, atëherë konfirmohet fakti që Belgjika është baza operacionale e ISIS-it, ku xhihadistët nëpërmjet internetit kanë organizuar takime të fshehta për të paktën 10 vjet”, tha një agjent policie për të përditshmen ‘Liberation’.
 
Mohamed Abrini, marokeni me nënshtetësi belge, ishte pjesë e grupit që kreu sulmin në aeroportin e Brukselit muajin e kaluar, ku humbën jetën 32 persona. Më parë, prokurorët belgë zbuluan se ISIS-i po planifikonte një sulm në Francë, por pa zbuluar shumë detaje. Ai që bëri plotësimet në këtë pikë ishte pikërisht Abrini, i cili tha se urdhrat për sulmin ndaj Francës kishin ardhur direkt nga Siria.

Alarmi i terrorizmit ka bërë që gjatë gjithë kësaj kohe në të gjithë stadiumet në Evropë të merren shumë masa sigurie të cilat do të përforcohen akoma më shumë në periudhën 10 qershor-10 korrik, kur do të zhvillohet edhe “Euro 2016”, një ngjarje që do të ndiqet nga 2.5 milionë persoina në stadiume, ndërsa 7 milionë vetë do të jenë në Zonat e Tifozëve.

Top Channel