Borussia Dortmund, Gundogan e Hummels pranë largimit

11/04/2016 14:05

Borussia e Dortmundit po përballet me mundësinë e largimit të disa futbollistëve të saj. Dy prej lojtarëve që po përmenden në zërat e merkatos janë Ilkay Gundogan dhe Mats Hummels, me destinacion të mundshëm Premier League.

Sipas asaj që publikohet te “Sky Sports”, Gundogan është vënë në shënjestrën e Manchester City, pasi trajneri Pep Guardiola kërkon ta ketë atë nën urdhrat e tij sezonin e ardhshëm. Gjithnjë sipas “Sky Sports”, klubi anglez është gati të ofrojë për të 35 milionë euro, ndërkohë që kërkesa e drejtuesve të Dortmundit për kartonin e futbollistit është 45 milionë euro.

Përsa i përket Mats Hummels, qendërmbrojtësi i përfaqësueses gjermane është vënë në shënjestrën e Liverpulit që drejtohet nga një trajner të cilin futbollisti e njeh mjaft mirë, Jurgen Klopp. Trajneri gjerman kërkon që të përforcojë mbrojtjen sezonin e ardhshëm dhe Hummels është zgjedhja ideale për të. Sipas asaj që publikohet te “Bild”, vetë futbollisti nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Borussia Dortmund, por ai duhet ta marrë një vendim përpara mbylljes së sezonit.

Top Channel