Disa orë pas incidenteve të ndodhura në kampin provizor të Idomenit, presidenti grek Prokopis Pavlopoulos, në pritjen që i ka bërë kryeministrit portugez Antonio Kosta që viziton Athinën, ka reaguar ashpër ndaj Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, duke i cilësuar veprimet e autoriteteve policore të këtij vendi të pakonceptueshme dhe të papranueshme dhe ka theksuar se me një sjellje të tillë ky shtet nuk ka vend as në BE dhe as në NATO.

Më herët, qeveria greke i ishte drejtuar Shkupit me dy nota proteste duke dënuar operacionin e policisë së vendit fqinj kundër disa qindra emigrantëve që tentuan në mesditën e së dielës të kalojnë gardhin që ndan dy shtetet pranë fshtatit Idomeni.

Jorgos Kyritsis, zëdhënësi i qeverisë për emigracionin, tha: “Përdorimi në masë i gazit lotsjellës, i granatave tymuese dhe madje edhe plumbave të gomës pa asnjë dallim mes grave dhe fëmijëve dhe për orë të tëra, është një praktikë e mjerueshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme”.

Të nxitur nga disa fletushka të shpërndara në gjuhën arabe, emigrantët e dëshpëruar të Idomenit janë përpjekur të kalojnë gardhin, por janë zbrapsur disa herë nga forcat policore në anën tjetër të kufirit që kanë përdorur ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba plastike, në konfrontime që kanë vazhduar për më se shtatë orë. Sipas “Mjekëve pa Kufij”, të paktën 3 fëmijë janë mjekuar me plagë në kokë nga plumbat e gomës, mbi 20 të rritur me plagë në trup dhe më shumë se 200 të tjerë janë trajtuar me problem në frymëmarrje.

Në një intervistë televizive mëngjesin e së hënës, ministri grek i Rendit, Nikos Toskas, duke iu referuar përdorimit të tepruar të forcës nga autoritetet e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ka deklaruar se “duhet të jemi largpamës në trajtimin e situatave të tilla. Të rrahurit e sotëm mund të bëhen xhihadistë nesër”.

Ai ka përsëritur se deri për Pashkë, me mirëkuptim do të evakuohen drejt kampeve të organizuara një pjesë e mirë e rreth 12000 emigrantëve në Idomeni si dhe 4500 të tjerëve që ndodhen në portin e Pireut.

Top Channel