Mijëra emigrantë dhe refugjatë janë përpjekur në orët e mesditës së të dielës që të kalojnë me forcë gardhin që ndan kufirin grek me atë të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në kampin provizor të Idomenit.

Por, autoritetet policore të fqinjit verior të Greqisë janë përgjigjur me bomba me gaz lotsjellës, madje edhe me plumba plastike.

Konfrontimi ka zgjatur për disa orë dhe disa emigrantë kanë mundur të kalojnë në disa vende gardhin, por më pas janë kapur dhe janë dërguar përsëri pas nga policia.
 
Sipas “Mjekëve pa Kufij”, nga konfrontimet ka pasur shumë të lënduar prej plumbave plastikë si dhe probleme me frymëmarrjen, pasi atmsofera ishte mbytëse. Midis të lënduarve, ka pasur edhe shumë gra e fëmijë.

Një refugjat nga Siria thotë: “Sot është ditë vendimtare për të gjithë. Ose do të kalojme përmes dhe do të vdesim duke u përpjekur, ose do të vdesim në Greqi. Kjo është dita e fundit, kjo është shpresa jonë e fundit”.
 
Shkak për këtë mësymje të refugjatëve në drejtim të kufirit janë bërë disa fletushka të ndara orët e fundit në këtë kamp ku ndodhen mbi 12000 emigrantë që jetojnë në një gjendje tragjike, me anë të të cilave ata ftoheshin që të mblidheshin dhe të bashkuar të marshonin drejt kufirit, pasi kështu askush nuk do t’i ndalte.

Pas këtyre incidenteve, koordinatori i qeverisë greke për emigracionin, Gorgos Kiritsis ka deklaruar se “përdorimi i armëve kimike, plumbave te gomës dhe granatave tymuese nga forcat maqedonase ndaj popullsisë në nevojë dhe madje pa ndonjë arsye madhore, është një praktikë e rrezikshme dhe e dënueshme”.

Por, gjithashtu ai u ka bërë thirrje edhe refugjatëve të mos bien pre’ e informacioneve false dhe të bashkëpunojnë me autoritetet greke për të garantuar lëvizjen e sigurt në kampet e organizuara të vendit.

Top Channel