Qeveria austriake ka në plan të marrë nën kontrollin e saj shtëpinë ku lindi Adolf Hitler për të mos lejuar që ajo të kthehet në një objekt kulti të simpatizantëve nazistë.

Vendimi pason vite të tëra diskutimesh mbi mënyrën sesi mund të frenohen interesat e neo-nazistëve. Hitleri erdhi në jetë në këtë shtëpi të qytetit Braunau am Inn, prillin e vitit 1889.

Për një kohë të gjatë ajo u përdor si qendër për personat me aftësi të kufizuara, por u boshatis në 2011-n pas mosmarrëveshjeve mes qeverisë dhe pronares Gerlinde Pommer, që refuzoi të jepte lejen për rinovimin e banesës.

Plani i ri tani përfshin një ofertë bujare kompensimi, siç e përshkroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Karl-Heinz Grundboeck.

“Aktualisht jemi duke shqyrtuar krijimin e një ligji i cili mund të detyrojë ndryshimin e pronësisë dhe kalimin e pronës së diskutuar në duart e Republikës së Austrisë”, sqaroi ai.

Kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar përdorimin e godinës për të ushqyer qëllimet e adhuruesve të nazizmit. Zëdhënësi nuk tha se çfarë do të bëjë qeveria me ndërtesën pasi ta marrë nën kontrollin e saj.

Godina aktualisht nuk ka ndonjë shenjë të veçante dhe e vetmja gjë që e lidh me të shkuarën është një mbishkrim në gur ku thuhet: “Kurrë më fashizmit” dhe “Në kujtim të miliona të vdekurve”. Emri i Hitlerit nuk shfaqet asgjëkundi.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel