Fronti i LSDM-së kundër Nikolla Gruevski është zgjeruar me 13 parti të koalicionit opozitar maqedonas, që të shtunën firmosën platformën Për Rikthimin e Demokracisë në vend.

Me këtë rast, kreu i opozitës Zoran Zaev bëri thirrje për bojkot të përgjithshëm të zgjedhjeve më 5 qershor.

“Në emër të parimeve për demokratizimin e Maqedonisë ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha organizatat civile dhe partitë politike të mos marrin pjesë në zgjedhjet ilegjitime të cilat dëshiron të mbajë ky regjim autoritar më  5 qershor të vitit 2016”, dekalroi Zaev.

Shefi i opozitës maqedonase ftoi edhe partitë shqiptare të opozitës që t’i bashkangjiten frontit të LSDM-së.

“Ne kemi pasur takime transparente me disa parti të bllokut shqiptar. Unë i ftoj të gjitha partitë opozitare që të mbështesin këto vlera demokratike. Ne e përgatitëm tekstin e platformës, por prapa këtij dokumenti mund të qëndrojmë të gjithë të barabartë”, tha Zaev.

Kreu i social-demokratëve maqedonas shtoi, se mund të fillojë përsëri të publikojë biseda të përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritarë, nëse pushteti shfuqizon Prokurorinë Speciale.

Top Channel