Panairi i makinave në Zagreb…

08/04/2016 20:35

Viti i kaluar u mbyll me rreth 60.000 makina të reja të shitura në të gjithë rajonin ku përfshihet Shqipëria, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina. Mbi 30 marka automobilistike ekspozuan 80 modele makinash të ndryshme në Auto Show-n e Zagrebit.

Një gamë e gjerë tipesh, nga më ekonomiket e të prekshmet nga kushdo, deri tek më luksozet dhe makinat ekskluzive. 70 prej këtyre modeleve ishin premier botërore, që shfaqeshin për herë të parë, ndërkohë që shifra e blerësve nga viti në vit është në rritje.

Një fakt që theksohet edhe nga Robert Shpiranec, specialistët i tregut të automobilëve. “Sa i përket shitjeve, shifrat janë të ulëta, por në 3 vitet e fundit tregu ka treguar rritje të kërkesës, ndaj dhe u realizua ky panair, për të nxitur njerëzit”, deklaron Shpiranec.

Shqipëria, edhe pse një vend me numër minimal shitjesh të makinave të reja, 0.5 për 1.000 persona, ndoshta do të ketë mundësinë të organizojë një panair automobilistik. Një projekt ide e nisur nga drejtuesit e ExpoCity.

“Dëshira e madhe është për ta realizuar një event të tillë në Shqipëri, në nivelin dhe dimensionet e duhura. Kompanitë pjesëmarrërse do të nxjerrin sigurisht markat e tyre që ofrojnë në Shqipëri. Sepse nuk mund të nxjerrin ato që s’i ofrojnë”, thotë drejtoresha Zhaklina Rira.

Ashtu si një makinë e bukur që të gjithë e ëndërrojnë ta kenë, edhe Tirana pret si një ëndërr organizimin e një Auto Moto Show, që tashmë duket e realizueshme.

Top Channel