Kosovë, takimet e para të Thaçit me delegacionet e pranishme

08/04/2016 00:00

Pjesëmarrësit në ceremoninë e solemne të Presidentit Hashim Thaçi, gjatë pasdites së kësaj të premteje kanë zhvilluar takime të ndryshme me krerët e shtetit të Kosovës.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, gjatë takimit me kryeparlamentarin Kadri Veseli ka komentuar zhvillimet politike, duke shprehur mospajtimin e tij me përdorimin e gazit lotsjellës dhe bombave molotov, si mjete për të arritur qëllimet politike.

Në komunikatën e Kuvendit thuhet se, gjatë takimit me Veselin, Hoyt Yee ka inkurajuar faktorët vendimmarrës që të gjejnë zgjidhje politike brenda spektrit politik kosovar. Zyrtari i lartë amerikan, i shoqëruar nga ambasadori Greg Delawie, është takuar edhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Sipas njoftimit të qeverisë, gjatë takimit është diskutuar për nevojën, që çdo shqetësim dhe temë aktuale politike të adresohet vetëm përmes dialogut institucional.

Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar takime dypalëshe edhe me përfaqësues të shtetit shqiptar. Takimet e para, kreu i shtetit kosovar i ka pasur me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, si dhe kryeministrin Edi Rama.

Në këto takime, Thaçi i ka siguruar krerët e shtetit shqiptar se, gjatë mandatit të tij si president do t’i kushtojë vëmendje të veçantë marrëdhënieve vëllazërore me Shqipërinë.

Më pas, Thaçi ka pritur në takim Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila ka premtuar mbështetje të plotë të Zagrebit zyrtar për Kosovën.

Presidenti Thaçi ka takuar po ashtu edhe delegacionet e Ganës, Kosta Rikës, Panamasë dhe Hondurasit, nga të cilët ka kërkuar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Top Channel