Kosovë, arrestohet bashkëpunëtori i Milosheviçit. Sheshel shpallet “non grata”

08/04/2016 00:00

Policia e Kosovës ka arrestuar shtetasin serb, Milovan Bojoviç, i dyshuar për krime lufte në Kosovë, i cili më 7 prill ka tentuar të futet ilegalisht nga pjesa kufitare në Merdarë.

Zëdhënësi i Policisë Baki Kelani, gjatë ditës e ka konfirmuar arrestimin e Bojoviçit, për të cilin “Kohavision” ka raportuar në mbrëmje se është liruar në mungesë të provave, por një gjë të tillë nuk e konfirmon Prokuroria.

Sipas informacioneve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ish-gjenerali i ushtrisë serbe, Bojoviç ka kryer krime në Kosovë dhe ka qenë shumë i afërt me kriminelin Slobodan Milosheviç.

Sipas KMDLNj-së, gjenerali i arrestuar ka pasur përgjegjësi komanduese dhe ka udhëhequr operacionet e ushtrisë serbe në rajonin e Llapit, ku nën përgjegjësinë e tij kanë qenë forcat paramilitare dhe policore serbe, që kanë bërë krime të shumta kundër civilëve, duke nisur prej vrasjeve individuale e deri te vrasjet në masë.

“Këto krime kanë mbetur të pandëshkuara deri më sot, përveç se është mbajtur një gjykim i improvizuar në Beograd për vrasjen e anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriçi dhe Gashi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KMDLNJ. Sipas informacioneve të KMDLNj-së, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në rajonin e Llapit janë vrarë 499 persona, nga të cilët 98 janë vrarë në masë, ndërsa konsiderohen si të zhdukur 53 civilë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës ka marrë një vendim për ta shpallur “person të padëshirueshëm” udhëheqësin e radikalëve serbë, Vojislav Sheshel, i cili ditë më parë u lirua si i pafajshëm nga Tribunali i Hagës. Sipas vendimit të marrë nga ministri në detyrë, Petrit Selimi, radikali serb Sheshel do të arrestohet, kudo që do të shihet në pikat kufitare të Kosovës.

Top Channel