Kosovë, ndahen çmimet në fushën e Teatrit

08/04/2016 00:00

Aktori Selman Jusufi është nderuar me çmimin e përvitshëm për Teatër, i ndarë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Kujtim Shala.

Në motivacionin e jurisë thuhet se, aktori Selman Jusufi ka qenë dhe mbetet aty në të gjithë rrjedhën e ndërtimit dhe zhvillimit të teatrit bashkëkohor në Kosovë. Gjatë 45 viteve të karrierës, aktori ka realizuar shumë role në teatër dhe kinematografi, përfshi filmin “Lulepjeshkat e dashurisë”.

“Duke i besuar parimit se, analiza kritike dhe vlerësimi mbi artin e punën e artistit nuk do të mungonte për këto 45 vite në skenë, që dikush i ka quajtur një jetë, mua më ka mbajtur gjallë ndoshta një lloj ndërgjegjeje krijuese. Një model i krijimit, që në çdo rast dhe kohë e kam pranuar si një lloj misioni. Edhe atëherë kur shkalla e vlerës dhe antivlerës kanë qëndruar në të njëjtin nivel, edhe atëherë kur kam menduar se jam harruar nga Zoti dhe audienca. Sot më bind fakti se, megjithatë, kriteri i garantuar dhe vlerësimi i institucionit shtetëror kombëtar ekziston”, tha Selman Jusufi, aktor.

Për rolin në shfaqjen “Gishti” është shpërblyer Teuta Krasniqi, si aktorja më e mirë. Ajo është vlerësuar për aktrimin origjinal në rolin e Shkurtës, një personazh i brishtë dhe i fuqishëm në të njëjtën kohë.

“Është nder dhe kënaqësi e madhe që në këtë moment vlerësohet puna ime, verifikohet puna ime nga një ekip profesionistësh. Jam shumë e lumtur, që shumicën prej anëtarëve të jurisë madje i kam pasur profesorë shumë të nderuar dhe bashkëpunëtorë, e natyrisht që kur vjen ky vlerësim prej profesionistëve është një kënaqësi dhe një nder shumë i madh”, tha Teuta Krasniqi, aktore.

Juria ishte e përbërë nga Agim Selimi, Arian Krasniqi, Besim Rexhaj, Ramadan Musliu dhe Bislim Muqaj, të cilët kanë shpërblyer edhe Teatrin e Prizrenit, shtëpinë teatrore filmike “Art”, ndërsa çmimi për regjinë më të mirë i është ndarë Bekim Lumit.

Top Channel