Real Madrid, ende favorit për kualifikim

08/04/2016 00:00

Hera e fundit që Reali i Madridit përmbysi një disavantazh 2-0 në kompeticionet europiane, ishte viti 1987 në një përballje me Crvena Zvezdën.

Por thuajse 3 dekada nga suksesi ndaj ekipit të Beogradit dhe në një situatë të vështirë pas humbjes ndaj Wolfsburgut, shumica e opinionit sportiv mendon se “galaktikët” do të kualifikohen.
 
Shorti i Ligës së Kampionëve që vendosi “merenges” përballë “ujqërve” gjermanë u cilësua i lehtë për iberikët, por nga çfarë u verifikua këtë mesjavë tregoi se Wolfsburg e meriton vendin që ka në futbollin kontinental.

Tashmë kompanitë e basteve e krahasojnë diskutimin për kualifikimin, me hedhjen e një monedhe që ka 50 mundësi për çdo anë. Disfata e Realit ka ulur ndjeshëm edhe kuotat e formacionit të Zidane për fitoren e Champions, të 11-n në historinë “merenges”, gjithmonë nëse do të vijë.
 
PSG dhe Manchester City ishin gjithashtu autorë të një 90 minutëshi emocionues në “Parkun e Princërve”, por golat në fushë kundërshtare thjeshtësojnë punët për anglezët.

1.63 është koeficienti i kualifikimit për “qytetarët” që barazuan 2-2 në Paris, ndërsa francezët kanë 2.25 mundësi për t’u kualifikuar, kjo pasi do t’u duhet të fitojnë në “Etihad Stadium”, ose të marrin një barazim me 3 gola ose më shumë.

Ndeshjet e së shtunës ndërkohë konfirmuan pavarësisht vështirësive, se si Barcelona, ashtu dhe Bayern, janë në linjë të parë për të triumfuar në Ligën e Kampioneve këtë sezon.

Top Channel