Ferrari i shpëton dënimit të FIA-s

07/04/2016 00:00

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit vendosi të mos e ndëshkojë Ferrarin për mesazhin e koduar të dhënë për Vettel gjatë Çmimit të Madh të Australisë.

Sipas rregullores së re të FIA-s, skuadrat nuk duhet t’i japin asnjë lloj mesazhi pilotëve për veprimet që duhet të bëjnë gjatë garës dhe këtu përfshihen edhe mesazhet e koduara.

Denoncimi ndaj “kokëkuqes” italiane në këtë pikë u bë në Çmimin e Madh të Bahreinit nga një prej skuadrave rivale të saj.

Autoritetet e FIA-s morën në dorëzim një foto nga makina e Vettel ku lexohej ‘3.2, LFS6P1’ .Nuk është e qartë se çfarë do të thotë ky mesazh, por në timonin e makinës së Vettel është një opsion zgjedhjeje FS6.

Pasi shqyrtuan kete rast, drejtuesit e FIA-s menduan se kjo foto nuk ishte provë e mjaftueshme për  të vërtetuar se Ferrari ka thyerr rregullin e komunikimit në garë dhe për këtë arsye vendosën që të mos marrin asnjë masë ndëshkuese ndaj skuderisë italiane.

Top Channel