Kroacia bllokoi bisedimet e anëtarësimit për Serbinë duke vendosur veton në hapjen e kapitullit 23 dhe 24 me Beogradin.

Grupi i përbashkët i punës i ngritur në Këshilli i Europës shtyu agjendën e debatit mbi dy kapitujt e radhës me Serbinë, kapituj që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë dhe të drejtat e njeriut.

Agjenda nuk është votuar vetëm nga pala kroate, ndërkohë që rregulli në të tilla raste kërkon votë unanime nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Zagrebi nuk ka shpjeguar ende me detaje arsyet e bllokimit të bisedimeve të anëtarësimit për Serbinë, por javët e fundit zyrtarë të lartë kroatë kanë deklaruar jo pak herë se do të bllokojnë procesin e anëtarësimit nëse Beogradi nuk plotëson më parë disa kushte.

Shqetësimet e kroatëve lidhen me respektimin e plotë të të drejtave të minoriteteve, bashkëpunim të plotë dhe pa kushte me Gjykatën e Hagës për krimet e luftës dhe anulimin e një ligji serb që e përjashton këtë vend nga juridiksioni ndërkombëtar për krimet e luftës.

Por në Beograd janë të bindur; bllokimi kroat bazohet vetëm tek motivet politike të përditshme. Sipas analistëve dhe zyrtarëve serbë, vetëm kështu mund të shpjegohet kjo bllokadë, ndërkohë që 27 vendet e tjera të BE-së kanë dhënë dritën jeshile.

Top Channel