Greqia “paralizohet” nga greva 24-orëshe e sektorit publik

07/04/2016 12:00

Mijëra grekë kanë marshuar në rrugët e Athinës dhe Selanikut, duke protestuar në kuadrin e një greve të re 24-orëshe, të thirrur nga Konfederata e Nëpunësve të Administratës Publike “ADEDY” kundër reformës së pensioneve, që kërkon të miratojë Qeveria e kryeministrit Tsipras.

Në grevë kanë marrë pjesë të gjithë nëpunësit e sektori shtetëror, të administratave lokale, të organeve të Tatim-Taksave, mësuesit, juristët, gazetarët, spitalet shtetërore që kanë vendosur personel sigurie, mjetet e shërbimit publik urban, si dhe nëpunësit e kontrollit ajror.

Pasi kanë marshuar duke mbajtur në duar pankarta e duke hedhur parrulla, grevistët janë mbledhur në sheshin para Parlamentit.

“Ky projektligj vazhdon shkatërrimin e të gjitha të drejtave, të cilat të punësuarit arritën t’i fitojnë me shumë beteja të gjata, për një jetë më të mirë”, tha Vasilios Bakalis, nëpunës i Ministrisë së Kulturës.

Sipas demonstruesve, me projektligjin e ri Qeveria rrit shumë më tepër taksat e drejtpërdrejta dhe ato jo të tilla, për të siguruar të ardhura shtesë prej gati dy miliardë eurosh në vitet 2016 dhe 2017.

Prej fillimit të krizës në Greqi, në fund të viti 2008, numri i nëpunësve shtetërore është reduktuar nga 900 mijë, në më pak se 590 mijë, ndërsa edhe të ardhurat e tyre kanë pësuar një shkurtim prej gati 40%.

Sindikalistët paralajmërojnë Qeverinë “Tsipras”, që ndodhet në negociata me përfaqësuesit e huadhënësve për të mbyllur reformat në mënyrë që të marrë ndihmën ekonomike, se këto masa gjunjëzojnë të gjithë të punësuarit, varfërojnë më tej klasën produktive dhe janë shkak që mbi 200 mijë të rinj grekë me arsim të lartë të kenë emigruar në vendet e tjera europiane, në 5 vitet e fundit.

Kjo është greva e katërt që kjo konfederatë organizon prej dhjetorit të kaluar, teksa ka paralajmëruar se do të përshkallëzojë protestat e saj, kur projektligji do të dërgohet në Parlament për miratim.

Top Channel