Macja e braktisur që pret prej një viti të zotët

06/04/2016 00:00

Historia e një macje që shfaqet çdo ditë në të njëjtin vend në Moskë po përhapet me shpejtësi në internet.

Një person e fotografia macen dhe më pas foton e hodhi në VKontatke, një rrjet social rus. Ai kërkoi ndihmë prej përdoruesve të rrjetit social për të mësuar më shumë mbi historinë e saj.

Njëri prej përdoruesve, banor i zonës ku qëndron macja, rrëfeu një histori sa të jashtëzakonshme, aq edhe të pabesueshme.

Sipas tij, macja është harruar nga të zotët e saj një vit më parë. Ata ndërruan apartament dhe në momentin që u larguan me makinë, felini i ndoqi me shpejtësi për disa metra, por nuk mundi t’i arrijë.

Ajo u kthye mbrapsht dhe qëndroi për orë me radhë në vendin ku shihet çdo ditë prej një viti tashmë. Macja largohet kur bie nata dhe rikthehet sërish në “vendrojen” e vet.

Disa komentues e interpretojnë këtë si besnikëri të kafshës ndaj njëriut duke thënë se ajo pret që një ditë të zotët e saj të kthehen, por ka nga ata që janë mosbesues karshi këtij varianti duke thënë se macja qëndron aty thjesht sepse banorët vendas e ushqejnë çdo ditë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel