NBA, Duncan në histori

06/04/2016 00:00

Tim Duncan hyn në historinë e NBA. Basketbollisti 39-vjeçar bëhet i pari në këtë kampionat që arrin kuotën e 1000 fitoreve me vetëm 1 skuadër, që në këtë rast është San Antonio Spurs.

Por jo vetëm kaq, ai është i treti lojtar në të gjithë historinë e kësaj lige që ka arritur në kuotën e 1000 fitoreve pas Kareem Abdul-Jabbar dhe Robert Parish.
Interesante në këtë pikë është se ky rekord i Tim Duncan rastis të shënohet pothuajse në të njëjtën kohë me atë të trajnerit të tij Gregg Popovic, i cili tashmë e ka kaluar kuotën e 1000 sukseseve si trajner i Spurs.

Fitoren e 1000 me San Antonion, Duncan e shënoi ndaj Utah Jazz 88-86, me skuadrën teksane që e çon bilancin në 65 fitore e 12 humbje.
Tim Duncan u bë pjesë e San Antonio Spurs në vitin 1997 së bashku me trajnerin Greg Popovic.

Gjatë 19 sezoneve me këtë skuadër, basketbollisti amerikan ka fituar 5 tituj kampionë të NBA. Në 3 raste ai është shpallur lojtari më i mirë i finaleve të NBA dhe në 2 raste të tjera është shpallur lojtari më i mirë i sezonit. Duncan ka qënë i pranishëm edhe në 15 ndeshje All Star Game dhe në vitin 2000 u shpall MVP i kësaj sfide.

Top Channel