Kosovë, edukimi që në shkollat fillore si mjet kundër ekstremizmit

06/04/2016 00:00

Numri i madh i kosovarëve, që kanë shkuar për të luftuar në Siri e Irak, ka nxitur Qeverinë të mobilizojë institucionet për parandalimin e ekstremizmit, duke nisur që nga shkollat fillore.

Strategjia për parandalimin e ekstremizmit ka nisur të zbatohet nga Komuna e Prishtinës, pasi sipas shefit të Inteligjencës në Drejtorinë kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, nga kryeqyteti kosovar kanë shkuar në Siri dhe Irak plot 16 persona.

“Prej këtyre personave, 7 janë deklaruar të vrarë, por mbetet detyrë e institucioneve të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, ta konfirmojmë nëse vërtet e kanë humbur jetën apo fshihet diçka pas tyre. Gjithashtu kemi edhe disa raste, gjatë të cilave kemi parandaluar disa persona për të udhëtuar në drejtim të Sirisë dhe Irakut”, tha Blerim Rama, shef i Inteligjencës.

Rama ka kërkuar ndihmën e Komunës së Prishtinës për të ofruar ndonjë psikolog mashkull, gjatë trajtimit të personave që kanë përqafuar ideologjitë terroriste, pasi ata nuk pranojnë të komunikojnë me psikologe femra.

Për parandalimin e terrorizmit, Qeveria ka angazhuar edhe ekipet vepruese për siguri në bashkësi, ndërsa koordinatori i ekipit për Prishtinën tha se do të nisin punën nga fusha e arsimit.

“Do të punojmë në shkolla, në mënyrë që t’i trajtojmë këto çështje. Duhet të shmangim që nxënësit të mund të ndikohen nga këto raste, duke i eliminuar në bashkëpunim me aktivitete të ndërthurshme nëpër shkolla dhe institucione të tjera, të cilat veprojnë në Komunën e Prishtinës”, tha Ibush Kelmendi, koordinator i EVSB-së Prishtinë.

Përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe të organizatave ndërkombëtare vlerësuan se, strategjia për parandalimin e terrorizmit do të zbatohet në të gjitha Komunat e Kosovës.

Top Channel